Gustav Klimt – Pikturat në Burgtheater, Vjenë, 1886

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019)

Gustav Klimt (1862-1918) – Teatri Antik në Taormina, 1886 (Burgtheater, Vjenë)

Klimt na i paraqet ca aktore-bukuroshe të kohës romake gjatë një skene imagjinare në teatrin e “Taormina” .
Taormina është një qytet në bregun lindor të Sicilisë (afër vullkanit Etna), qyteti është i njohur për “Teatro Antico di Taormina”, një teatër i lashtë greko-romak i cili përdoret dhe sot e kësaj dite.

| – – –
…Klimt ende s’ishte aq i njohur e i famshëm… atëbotë si bojaxhi i panjohur njerëzia dhe s’ta varnin aq. Një zonjë e rëndë madje dhe qe ankuar pranë administratës së teatrit kur ky e pati përfunduar pikturën e titulluar “Teatri Antik në Taormina”. Fati i Klimt që ajo nuk e pati paditur. Zonja vjeneze pati ngelur nga habia, s’mund të ngopej frymë… me sytë drejtuar tavanit, kur ashtu papritmas e pati hetuar veten “lakuriq”, fare nudo, në pikturën e Klimt.
E ky i ngrati s’është se kishte ndonjë faj, pafajsia e tij ishte e kulluar sa dhe vetë pastërtia e artit. Dalngadalë e pati kthyer në zakon (vesi i tij pothuaj qe zhvilluar dhe si tendencë) për t’i pikturuar femrat nga mbamendja. Sipas tij s’do ishte aq “problematike” të frymëzohesh nga imagjinata e trupave “lakuriq” të grave të huaja. Në rastin e pikturës në fjalë, nudistika si dhe vetë skena pikturale ishin totalisht imagjinare. I kishte pikturuar tri gra të zhveshura, tri bukuroshe si vetë muzat e Delfit, dhe çfarë pastaj, s’do shembej bota. S’ishte as i pari as i fundit të eksperimentonte me nudistikat (imagjinare).

Të gjitha pikturat tjera të tavanit kishin të bënin me “historinë e teatrit”, pothuaj i qenë mërzitur me atë temën e njëjtë, bajate. I ishin bërë aq monotone, ndoshta as vetë Mikelanxhelo i Madh dikur në Mesjetë s’pati qenë i mërzitur më shumë, edhe ai i ngrati pati vuajtur me tavanin e “Sistina” . Historia e artit tavanistik s’ka “harruar” ç’pati hequr dikur i gjori Mikolango! Klimt e dinte mirë sa e vështirë është t’i pikturosh tavanet, qafa e gjymtyrët thjesht mpihen nga dhimbja. E vetmja “…Taormina” ia falte atë lirinë imagjinare, nuk duhej të paraqiste ndonje “skenë teatrore”, thjesht mund t’i zhyste brushat në ngjyrat e imagjinates. Pati qenë pothuaj si një lloj “ngushëllimi”, si vetëkënaqje me lirinë artistike.

Sidoqoftë, zonja vjeneze vetëm qe ankuar, s’e pati paditur, s’pati kërkuar ndonjë lloj dëmshpërblimi, Klimt s’duhej të paguante asnjë gjobë, gruaja nudo e pikturës thjesht qe “veshur” pastaj me rroba të kuqe.
| – – –
[ shkeputur nga: Teatri “shekspirian” i Gustav Klimt, dhe Nudistika Imagjinare! – S. Guraziu – Ars Poetica, 2018 ]

Gustav Klimt (1862-1918) – Altari i Dionisit, 1886 (Burgtheater, Vjenë)

Gustav Klimt (1862-1918) – Teatri mobil i Thespisit, 1886 (“Thespiskarren” – Burgtheater, Vjenë)

Vepra ndodhet në Burgtheater, Vjenë – “Thespiskarren” (Karroca e Thespisit) është emri për “teatrin mobil-istik” dhe për karvanin e aktorëve para fillimit të shaqjes (në Greqinë e lashtë). Në sfond shihet një dem duke pushuar dhe tutje karroca, si dhe po ashtu aktorët me maska (mbase duke ushtruar, duke u përgatitur). Emri vjen nga poeti i parë grek i tragjedisë, Thespisi, i cili sipas Horacit, i jepte shfaqjet teatrale në një karrocë-teatër.

Kuptohet se kushtet shoqërore të lashtësisë ishin jashtëzakonisht të rënda, as reputacioni i aktorëve s’ishte aq për lakmi, veçanërisht dimrave dashamirët e shfaqjeve ndesheshin me vështirësi të mëdha, pasi në kohën e tyre s’kishte mundësi që shfaqjet të luheshin në teatër, në ndërtesat e veçanta teatrale. Improvizohej me karrocat, montohej diç si skenë teatrale, udhëtohej nga qyteti në qytet në kërkim të audiencës, dhe të gjitha plaçkat teatrale barteshin me vete, pakashumë ngjashëm siç, madje dhe sot e kësaj dite, zhvendosen kompanitë e mini-cirkuseve, nga një vend në tjetrin.
(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019)

[ © Fotot: Georg Soulek – Pressefotos, Burgtheater ]